Secondary Adv

Keydata: Si janë rritur në 20 vite çmimet e apartamenteve për 32 zonat kadastrale

Çmimet e apartamenteve në Tiranë janë rritur ndjeshëm 2005–2025, duke u dyfishuar e madje trefishuar në zonat qendrore dhe elitare.

Çmimet janë dyfishuar në periferi dhe trefishuar në qendër

Sipas “Keydata”, çmimet mesatare të apartamenteve të shitura në njësitë e Tiranës, përfshirë ato ekzistuese dhe një numër më të vogël të reja, janë rritur me 127 deri në 189 për qind. Në njësinë bashkiake nr.1, që përfshin zonat e Kinemasë “Ali Demi”, Shkozën dhe Fushën e Sportit, çmimi mesatar është rritur nga 670 euro për metër katror në vitin 2005, në 1,522 euro në 2025. Në njësinë nr.2, që përfshin Piramidën, Pazarin e Ri dhe Qytetin Studenti, rritja ka qenë edhe më e madhe — nga 720 euro në 1,988 euro për metër katror, ose 176 për qind më shumë.

 

Njësia nr.3, me zona si Porcelani dhe rruga “Bardhyl”, ka pasur një shtrenjtim prej 189 për qind, ndërsa në njësinë nr.4, ku përfshihen Alliasi, Bregu i Lumit dhe Tufina, çmimi mesatar ka shkuar nga 576 në 1,524 euro për metër katror, një rritje 1.6 herë më e lartë.

 

Blloku, Komuna e Parisit dhe Liqeni — më të shtrenjtët në Tiranë

Rritja më e madhe është regjistruar në njësinë bashkiake nr.5, që përfshin zonat më të kërkuara të kryeqytetit si ish-Blloku, Komuna e Parisit dhe Liqeni Artificial. Çmimet janë trefishuar, duke kaluar nga 742 euro për metër katror në 2005 në 2,153 euro në 2025. Në zonën e ish-Bllokut, indeksi regjistron një çmim mesatar prej 2,660 euro për metër katror — 3.4 herë më i lartë se 20 vite më parë.

 

Tendencë rritjeje në çdo njësi të Tiranës

Edhe njësitë periferike si Kombinati, Sharra dhe Unaza e Re kanë ndjekur të njëjtën prirje. Në njësinë nr.6 çmimi mesatar ka arritur 1,419 euro për metër katror, ndërsa në njësinë nr.7, që përfshin zonat pranë ish-Ekspozitës dhe Fakultetit të Inxhinierisë, çmimi ka shkuar në 1,850 euro për metër katror. Në njësitë nr.8 dhe nr.9, përfshirë zonat e Selvisë, Medresesë dhe Bulevardit “Zogu I”, çmimet janë rritur rreth 1.5 herë krahasuar me 2005.

 

Në qendër, njësia nr.10 që përfshin rrugët “Myslym Shyri” dhe “Rrugën e Durrësit”, ka arritur 2,316 euro për metër katror — 177 për qind më shumë se 20 vite më parë. Ndërsa në zonën e Don Boskos dhe Zogut të Zi (njësia nr.11), çmimi mesatar ka arritur 1,572 euro për metër katror, pothuajse trefishuar në krahasim me 2005.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat